Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

ASCAL merr pjesë në vizitën studimore të projektit APEL-WB në Islandë

Përfaqësues të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) morën pjesë në vizitën studimore të organizuar në kuadër të projektit APEL-WB, “Accreditation of Prior Experiential Learning Capacity Building in the Western Balkans”, e cila u zhvillua në University of Akureyri, Islandë, në bashkëpunim me Tallinn University, Estoni.

Aktiviteti u përqendrua në njohjen dhe vlerësimin e të nxënit të mëparshëm dhe të përvojës profesionale (APEL) në arsimin e lartë, me synim forcimin e kapaciteteve dhe zhvillimin e praktikave të qëndrueshme në institucionet e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë vizitës u trajtuan kuadri politik dhe ligjor i APEL-it, procedurat e aplikimit dhe të vlerësimit, përgatitja e portofolave, metodat e vlerësimit dhe mekanizmat e sigurimit të cilësisë. Pjesëmarrësit u njohën gjithashtu me praktikat institucionale të zbatimit të APEL-it, përdorimin e mjeteve digjitale dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe tregut të punës.

Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte puna praktike për harmonizimin e procedurave dhe politikave të APEL-it, hartimin e rekomandimeve të përbashkëta dhe planifikimin e masave për garantimin e qëndrueshmërisë së kuadrit APEL edhe pas përfundimit të projektit.

Pjesëmarrja e ASCAL-it në këtë aktivitet kontribuon në shkëmbimin e praktikave evropiane, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe zhvillimin e qasjeve për sigurimin e cilësisë në proceset e njohjes së të nxënit të mëparshëm.

2

3

4