Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

ASCAL - AKA do të bashkëpunojnë për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë

Ditën e sotme datë 30.11.2020 u realizua një takimin midis Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) të Shqipërisë dhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) në Kosovë.

Drejtoresha e ASCAL Dr. Xhiliola Bixheku priti në një takim zyrtar Kryetaren e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), Prof.Hasnije Ilazi, Drejtorin e AKA Naim Gashi dhe anëtarin e KShC Prof. Dukagjin Zeka.

Gjatë takimit të realizuar Dr. Bixheku i njohu të pranishmit me arritjet që ASCAL ka pasur gjatë këtyre viteve, por edhe me sfidat që ASCAL mund të ketë në të ardhmen, ku ajo më kryesoria është antarësimi në Asocacionin Evropianë të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA.).

Gjthashtu gjatë takimit u diskutua për rëndësinë që ka realizimi i një marrëveshje midis dy agjencive, në kuadër të shkëmbimit të dokumentacionit, përvojave të suksesshme të dy agjencive, shkëmbimit të informacioneve për verifikimin e stafit akademik etj., në kuadër të përmirësimit të cilësisë në të dy vendet.

Kryetarja e KShC, Prof. Ilazi gjatë prezantimit të saj tha se gjatë këtij viti është hartuar Plani Strategjik i Agjencisë, është krijuar metodologjia e monitorimit të procedurave pas akreditimit, si dhe është hartuar plani i digjitalizimit të përgjithshëm të proceseve të akreditimit.

Kreu u KShC tha se në funksion të plotësimit të rekomandimeve të Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), është krijuar edhe metodologjia e analizave tematike, është krijuar manuali për ekspertët e jashtëm dhe janë krijuar procedurat e sigurimit të brendshëm të cilësisë në AKA.

Kryetarja Ilazi e njoftoi drejtoreshën Dr. Bixheku në lidhje me konferencën rajonale të agjencive të akreditimit, e cila pritet të organizohet në vjeshtën e vitit të ardhshëm nga AKA, në të cilën do të trajtohen tema për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë.

ASCAL dhe AKA ranë dakord për fillimin e procedurave për hartimin e një marrëveshje bashkëpunimi në nivel të dy agjencive.