Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

Fillon Sondazhi Kombëtar i Studentëve më datë 16 Prill 2019

Një nga mekanizmat kryesorë të sigurimit të jashtëm të cilësisë është vlerësimi i cilësisë së mësimdhënies nëpërmjet Sondazhit Kombëtar të Studentëve (SKS). Nga data 16 Prill 2019 studentët kanë mundësinë të plotësojnë këtë pyetësor i dërguar me link në adresat e tyre të emaili-t. Duke i’u përgjigjur pyetjeve, studentët do të japin mendimin dhe vlerësimin e tyre për 6 (gjashtë) kategoritë si:

  • Organizimi i institucionit, menaxhimi dhe funksionimi i tij
  • Burimet në funksion të mësimdhënies
  • Kurrikulat, përmbajtja dhe përditësimi
  • Mësimdhënia, mësimnxënia, vlerësimi
  • Aktiviteti kërkimor, projekte, studime, botime
  • Studentët dhe mbështetja e tyre

Procesi është anonim dhe bazohet tërësisht në opinionin individual të studentëve për institucionet ku ata studiojnë. Të dhënat dhe informacionet e marra do të përpunohen statistikisht me anën e programeve kompjuterike dhe do të përdoren në mënyrë të tillë pa referenca individuale në lidhje me përgjigjet e dhëna.

Në përfundim të procesit hartohet raporti analitik me rezultatet e pyetësorëve për çdo IAL, shoqëruar me analizat përkatëse si dhe analiza krahasuese për indikatorë të ndryshëm. Ky raport do të bëhet publik dhe do t'i vihet në dispozicion Bordit të Akreditimit, ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë në kuadër të vendimmarrjes dhe politikëbërjes dhe institucioneve të arsimit të lartë.

Afati final për plotësimin e pyetësorit është data 2 Maj 2019.

Realizimi i SKS është detyrim ligjor në kuadër të sigurimit të cilësisë dhe për këtë arsye këtij procesi do t'i nënshtrohen të gjitha institucionet e arsimit të lartë që operojnë në Republikën e Shqipërisë apo filiale të institucioneve të huaja të licencuara në vendin tonë.