Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 372, datë 17.09.2012, Shkolla e Lartë Private “Kampusi Universitar Mesdhetar”

VENDIM
I
KËSHILLIT TË AKREDITIMIT
Nr. 372, datë 17.09.2012

Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (B.Sc) në:
1.    FINANCË BANKË
2.    ADMINISTRIM BIZNESI
3.    HIGJENIST DENTAR
4.    INFERMIERI

Për Programet e Integruara të Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1.    STOMATOLOGJI DHE PROTEZA DENTARE
2.    MJEKËSI DHE KIRURGJI

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për hapjen e Programeve të reja të studimit Bachelor dhe Master i Shkencave, të kërkuara nga Shkolla e Lartë Private “Kampusi Universitar Mesdhetar”, Tiranë, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1.    Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Financë Bankë”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
  • Nuk është paraqitur asnjë marrëveshje bashkëpunimi me institucionin e deklaruar, Universitetin e Foggias.
  • Nuk ka të dhëna për strukturën e Fakultetit dhe as të departamenteve etj, duke lënë të paqartë mënyrën e mbulimit të ngarkesës mësimore nga pedagogët e Universitetit të Foggias.
  • Për emërtimin e diplomës Bsc në Financë – Bankë duhet të kishte më shumë profilizim të lëndëve. Kështu psh, mund të kishte më pak lëndë marketingu dhe më shumë lëndë të specialitetit të financës e të bankës (Ekonomia monetare apo Paraja dhe banka, Teknika bankare, etj.).
  • Duhet të ishte përfshirë mësimi i gjuhës angleze në planin mësimor bashkë me kreditet përkatës.
  • Nuk ka asnjë CV pedagogësh dhe as të drejtuesve të fakultetit departamentit etj.
  • Mungojnë të dhëna për bibliotekën apo për infrastukturën.
  • Nuk ka të dhëna nëse aplikuesi garanton ose jo (vetëm /ose në bashkëpunim me institucione të tjerë) mjedise të mjaftueshëm për zhvillimin e praktikave profesionale.
  • Mungojnë të dhëna për personelin ndihmës mësimor shkencor dhe administrativ, për instruktimin, udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e studentëve në praktikën profesionale.

2.    Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Administrim Biznesi”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet e mëposhtme:
  • Të plotësohet programi i studimit me lëndë bazë të tilla si Menaxhim Operacionesh etj.
  • Të bëhet një ndarje e qartë në disiplinat A, B, C, E dhe të rregullohet disiplina D, pasi e tejkalon numrin e duhur të krediteve.
  • Të rregullohen të gjitha syllabuset e lëndëve me elementët si: detyrimet e studentëve për lëndën; format dhe pikët e provimit përfundimtar me shkrim, pikët nga seminari dhe literatura të jetë e paraqitur me vitin e botimit dhe autori.
  • Të paraqiten CVtë e plota të titullarëve të lëndëve dhe personelit akademik të angazhuar në mësimdhënie.
  • Të jepet më shumë informacion mbi personelin ndihmës mësimor shkencor dhe administrativ të nevojshëm dhe të përshtatshëm për të ofruar në mënyrë cilësore realizimin e orëve laboratorike dhe për mirëmbajtjen e laboratorëve e mjediseve shkollore.

3.    Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Higjenist Dentar”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
  • Tregu shqiptar nuk ka absolutisht nevojë për Higjenistë dentare.
  • Mungon përcaktimi i petagogëve titullarë dhe petagogëve të tjerë për çdo lëndë
  • Mungojnë CV-të e pedagogëve dhe çertifikimi i tyre (dokumenti zyrtar i pozicionit të tyre) nga Universiteti i Foggia-s.
  • Nuk ka të dhëna për infrastrukturën dhe ambjentet e realizimit të procesit mësimor dhe të praktikave mësimore.

4.    Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Infermieri”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
  • Institucioni nuk paraqet një studim real të tregut në përputhje me synimet strategjike të zhvillimit ekonomik kombëtar.
  • Strukturimi i lëndëve/ moduleve është pjesërisht i përshtatshëm me objektivat formuese dhe emërtimin e diplomës. PS parashikon 35 provime në vit ndërsa norma e lejuar është deri 22 provime në vit.
  • Plani mësimor nuk është dhënë i plotë me lëndët/ modulet dhe ngarkesën e tyre. Ky plan mësimor duhet modifikuar për këtë PS.
  • Ngarkesat mësimore në auditor kalojnë normat e lejuara (max 750) duke filluar nga 762- 820 orë sipas viteve respektive (viti I- viti III). Ngarkesat mësimore janë pjesërisht të përshtatshme për këtë PS.
  • Disiplinat në aktivitete formuese në auditor nuk janë të ndara drejt dhe në mënyrë të përshtatshme. Kështu disiplina të formimit të përgjithshëm (A) ka 19 kredite kurse norma e lejuar është 36 kredite, disiplina karakterizuese (B) ka 65 kredite ndërsa norma e lejuar është 90 kredite, njohuri të tjera formuese (E) ka 57 kredite ndërsa norma e lejuar është rreth 18 kredite (mbështetur në Udhëzimin 15 MASH/2008, fq 14, shtojca 1, pika 3).
  • Mos paraqitja e CV-ve të pedagogëve nuk lejon dhënien e vlerësimit të formimit profesional të tyre për lëndët përkatëse dhe as vlerësim për përputhjen e fushës akademike të përgjithshme dhe të veçantë të pedagogëve si dhe për përvojën e tyre kërkimore të lëndëve.
  • Nuk paraqiten të dhëna në dosje për personelin ndihmës mësimor dhe administrative.
  • Nuk ka të dhëna në dosje për personel për instruktimin dhe mbikqyrjen e studentëve në praktikën profesionale.

5.    Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Stomatologji dhe proteza dentare”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
  • Gjuha e studimit do të jetë në Shqip dhe Anglisht ndërkohë që paraqitet vetëm lista me emrat e 42 pedagogeve të Universitetit të Foggias të cilët nuk kanë njohuri të gjuhës shqipe.
  • Nuk ka asnjë marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e praktikave me asnjë nga Qendrat Spitalore Universitare (Drejtoria Rajonale Spitalore e Elbasanit nuk ka status universitar dhe nuk ka asnjë klinikë stomatologjike në varësi aq më pak universitare).
  • Nuk është paraqitur një listë e plotë për atë personel akademik që do të jetë i angazhuar specifikisht për këtë program studimi.
  • Nuk janë paraqitur CV e personelit akademik që do të angazhohen në këtë program.
  • Nuk ka informacion të mjaftueshëm për ambjentet ku do të zhvillohet mësimdhënia si dhe laboratorët e nevojshëm për zhvillimin e lëndëve paraklinike.

6.    Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Mjekësi dhe Kirurgji”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
  • Gjuha e studimit do të jetë në Shqip dhe Anglisht ndërkohë që paraqitet vetëm lista me emrat e 42 pedagogeve të Universitetit të Foggias të cilët nuk kanë njohuri të gjuhës shqipe.
  • Nuk ka asnjë marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e praktikave me asnjë nga Qendrat Spitalore Universitare (Drejtoria Rajonale Spitalore e Elbasanit nuk ka status universitar).
  • Nuk është paraqitur një listë e plotë për atë personel akademik që do të jetë i angazhuar specifikisht për këtë program studimi.
  • Nuk janë paraqitur CV e personelit akademik që do të angazhohen në këtë program.
  • Nuk ka informacion të mjaftueshëm për ambjentet ku do të zhvillohet mësimdhënia si dhe laboratorët e nevojshëm për zhvillimin e lëndëve paraklinike.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:


Programi i Studimit:    Bachelor në Financë Bankë
                të mos hapet

Programi i Studimit:    Bachelor në Administrim Biznesi
                të hapet

Programi i Studimit:    Bachelor në Higjenist Dentar
                të mos hapet

Programi i Studimit:    Bachelor në Infermieri
                të mos hapet

Programi i Studimit:    Master i Shkencave në Stomatologji dhe proteza dentare
                të mos hapet

Programi i Studimit:    Master i Shkencave në Mjekësi dhe Kirurgji
                të mos hapet


DREJTORI
AVNI MESHI
Cookies user preferences
We use cookies to ensure you to get the best experience on our website. If you decline the use of cookies, this website may not function as expected.
Accept all
Decline all
Analytics
Tools used to analyze the data to measure the effectiveness of a website and to understand how it works.
Google Analytics
Accept
Decline
Unknown
Unknown
Accept
Decline
Save