ASCAL merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të ENQA-s: Forcimi i bashkëpunimit evropian për cilësinë në arsimin e lartë

Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të ENQA-s, të organizuar në bashkëpunim me Agjencinë për Vlerësimin dhe Akreditimin e Cilësisë ACCUEE.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të agjencive dhe partnerëve evropianë për të shkëmbyer përvoja dhe praktika të mira, si dhe për të diskutuar mundësitë për forcimin e bashkëpunimit në sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.
Diskutimet u përqendruan në bashkëpunimin ndërmjet agjencive dhe institucioneve të arsimit të lartë, ndërlidhjen e sigurimit të brendshëm dhe të jashtëm të cilësisë, sigurimin e cilësisë në arsimin transnacional, rishikimin e Qasjes Evropiane për Sigurimin e Cilësisë së Programeve të Përbashkëta, si dhe rolin e komunikimit strategjik në forcimin e transparencës dhe besimit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua prezantimit të versionit përfundimtar të ESG-ve të rishikuara, të dorëzuar për miratim pranë Grupit të Ndjekjes së Procesit të Bolonjës (BFUG), si dhe prioriteteve të ardhshme të këtij procesi.
ASCAL i përcjell urimet më të përzemërta Péter Levente Lakatos për zgjedhjen si President i ENQA-s, Patrick Van den Bosch dhe Kristin Vinje për vijimin e angazhimit si Zëvendëspresidentë, si dhe Ronny Heintze dhe Varduhi Gyulazyan për zgjedhjen si anëtarë të rinj të Bordit.
Një falenderim i veçantë i drejtohet ish-Presidentes së ENQA-s, Cristina Ghițulică, për përkushtimin dhe kontributin e saj në drejtimin e ENQA-s dhe në forcimin e bashkëpunimit evropian në fushën e sigurimit të cilësisë.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet përforcon angazhimin e ASCAL-it për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin e praktikave të mira dhe zhvillimin e proceseve të sigurimit të cilësisë në përputhje me standardet dhe zhvillimet evropiane.





