Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), në ushtrimin e funksioneve dhe përgjegjësive të saj institucionale, angazhohet për respektimin e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale, në përputhje me ligjin nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, legjislacionin përkatës në fuqi dhe rregulloren e brendshme për mbrojtjen dhe përpunimin e të dhënave personale në ASCAL.
Përpunimi dhe mbrojtja e të dhënave personale
ASCAL përpunon të dhëna personale në kuadër të ushtrimit të funksioneve të saj ligjore, përfshirë proceset e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë, akreditimin institucional dhe të programeve të studimit, analizat institucionale, administrimin e sistemeve elektronike dhe përmbushjen e detyrave administrative.
Në varësi të qëllimit të përpunimit, të dhënat mund të përfshijnë të dhëna identifikuese, kontakti, profesionale, arsimore dhe të dhëna të tjera të nevojshme për realizimin e funksioneve institucionale.
Përpunimi kryhet mbi baza të ligjshme, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, drejtësisë, transparencës, kufizimit të qëllimit, minimizimit të të dhënave, saktësisë, kufizimit të ruajtjes, integritetit, konfidencialitetit dhe përgjegjshmërisë.
ASCAL zbaton masa të përshtatshme teknike dhe organizative për mbrojtjen e të dhënave personale nga aksesi i paautorizuar, humbja, dëmtimi, ndryshimi ose përpunimi i paligjshëm. Aksesi në të dhënat personale kufizohet te personat e autorizuar, në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.
Të dhënat personale ruhen dhe administrohen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe afatet e përcaktuara në aktet përkatëse të institucionit. Komunikimi i tyre te subjekte të tjera kryhet vetëm kur lejohet ose kërkohet nga ligji.
Të drejtat e subjekteve të të dhënave personale
Në përputhje me ligjin nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, individët gëzojnë të drejtën për informim, akses, korrigjim, fshirje, kufizim të përpunimit dhe kundërshtim ndaj përpunimit të të dhënave të tyre personale, si dhe të drejta të tjera të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Ushtrimi i këtyre të drejtave realizohet sipas kushteve, procedurave dhe kufizimeve të përcaktuara nga ligji.
Nëpunësi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe paraqitja e kërkesave
ASCAL ka caktuar nëpunësin për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili ushtron detyrat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, duke kontribuar në këshillimin, monitorimin dhe respektimin e kërkesave ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale.
Për informacion, sqarime ose për ushtrimin e të drejtave lidhur me përpunimin e të dhënave personale, individët mund të kontaktojnë ASCAL në adresën elektronike:
- Emaili: info@ascal.al
Kërkesat shqyrtohen në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi. Përgjigjja jepet pa vonesa të panevojshme dhe, si rregull, jo më vonë se 30 ditë nga marrja e kërkesës, me mundësi zgjatjeje në rastet e parashikuara nga ligji.
E drejta për paraqitjen e ankesës
Çdo individ që vlerëson se përpunimi i të dhënave të tij personale cenon të drejtat e garantuara nga legjislacioni në fuqi, ka të drejtë të paraqesë ankesë pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si autoriteti i pavarur mbikëqyrës në Republikën e Shqipërisë, si dhe të përdorë mjetet e tjera ligjore të mbrojtjes.