Misioni
Misioni i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) është sigurimi i cilësisë në arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë përmes vlerësimit të jashtëm, objektiv dhe të pavarur, ruajtjes së standardeve të cilësisë, si dhe promovimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të studimit që ato ofrojnë.
ASCAL përmbush misionin e saj nëpërmjet vlerësimit të jashtëm për akreditimin e parë dhe periodik, monitorimit të cilësisë dhe bashkëpunimit me institucionet për ngritjen dhe funksionimin e sistemeve të brendshme të sigurimit të cilësisë. Veprimtaria e saj mbështetet në Kodin e Cilësisë së Arsimit të Lartë, në udhëzuesit përkatës dhe në standardet dhe udhëzimet evropiane për sigurimin e cilësisë, duke respektuar autonominë institucionale dhe përgjegjësinë parësore të institucioneve për cilësinë e veprimtarisë së tyre.
Përmes proceseve profesionale, të paanshme, transparente dhe të bazuara në evidenca, ASCAL kontribuon në mbrojtjen e interesit publik dhe të studentëve dhe në forcimin e besimit në arsimin e lartë. Përfshirja e palëve të interesit, analizimi i rezultateve dhe publikimi i informacionit të besueshëm mbështesin llogaridhënien, zgjedhjet e informuara dhe zhvillimin e një kulture të qëndrueshme cilësie.
Vizioni
Vizioni i ASCAL-it është të jetë një agjenci e besueshme dhe profesionale, e pavarur në ushtrimin e funksioneve të vlerësimit të cilësisë dhe e njohur në nivel evropian e ndërkombëtar, që kontribuon në zhvillimin e një sistemi të arsimit të lartë cilësor, gjithëpërfshirës dhe të integruar në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë.
ASCAL synon të shërbejë si pikë referimi kombëtare për sigurimin e jashtëm të cilësisë, duke nxitur përmirësimin e vazhdueshëm, forcimin e mekanizmave të brendshëm të cilësisë dhe përgjegjshmërinë institucionale. Në qendër të këtij orientimi qëndrojnë cilësia e përvojës së studentëve, besimi i publikut dhe aftësia e institucioneve për t’iu përgjigjur zhvillimeve akademike dhe nevojave të shoqërisë.
Nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet, studentët, ekspertët dhe partnerët kombëtarë e ndërkombëtarë, ASCAL synon të promovojë praktikat e mira dhe të mbështesë përmirësime të qëndrueshme në arsimin e lartë. Zhvillimi profesional, përdorimi i të dhënave dhe analizave, inovacioni dhe vlerësimi i vazhdueshëm i veprimtarisë së vet udhëheqin zhvillimin e agjencisë dhe forcimin e kontributit të saj në cilësi.
Veprimtaria e ASCAL
- Vlerësimi i jashtëm i cilësisë për akreditimin e parë dhe periodik të institucioneve të arsimit të lartë e të programeve të studimit që ato ofrojnë.
- Monitorimi, vlerësimi i cilësisë akademike dhe i përputhshmërisë me standardet e cilësisë së institucioneve dhe programeve të ofruara prej tyre, përpara vlerësimit për akreditim të parë dhe në vijim.
- Vlerësimi paraprak në kuadër të hapjes dhe/ose riorganizimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të studimit me kërkesë të ministrisë përgjegjëse për arsimin.
- Vlerësimi paraprak dhe njohja e programeve të studimit, të ofruara në institucionet shqiptare të akredituara të arsimit të lartë nga institucione të huaja të arsimit të lartë të njërit prej shteteve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe Australisë.
- Vlerësimi periodik, çdo tre vjet, i cilësisë së mësimdhënies në institucionet e arsimit të lartë dhe monitorimi i vazhdueshëm i tij përmes Sondazhit Kombëtar të Studentëve, në përputhje me udhëzuesit e saj.
- Vlerësimi i sistemeve të brendshme të cilësisë (auditimi) në institucionet e arsimit të lartë, në përputhje me udhëzuesit e saj dhe standardet e udhëzimet për sigurimin e cilësisë në hapësirën evropiane të arsimit të lartë.
- Vlerësime tematike, analitike dhe krahasuese të institucioneve dhe/ose programeve të studimit, në funksion të politikave për arsimin e lartë, në mënyrë autonome ose me kërkesë të ministrisë përgjegjëse për arsimin.
ASCAL është pjesë e komunitetit evropian dhe ndërkombëtar të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë dhe bashkëpunon me aktorët përkatës në këtë fushë. Agjencia është anëtare e asociuar e ENQA-s dhe anëtare me të drejta të plota e CEENQA-s dhe INQAAHE-së. Gjithashtu, ASCAL bashkëpunon me Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (QAA) dhe Qendrën për Arsimin e Lartë (CHE).