Prof. Asoc. Dr. Anisa Subashi
Prof. Asoc. Dr. Anisa Subashi është Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL). Ajo ka mbi 20 vite përvojë profesionale në fushat e arsimit të lartë, politikave publike dhe shërbimeve sociale, duke ndërthurur ekspertizën akademike me përvojën e gjerë drejtuese në nivele të larta të administratës publike qendrore dhe vendore.
Veprimtaria e saj profesionale përqendrohet në sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë, zhvillimin institucional dhe bashkëpunimin me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Formimi dhe përvoja e saj në fushat e arsimit dhe politikave sociale mbështesin angazhimin e saj për garantimin e cilësisë, gjithëpërfshirjes dhe përshtatjes së arsimit të lartë me nevojat e shoqërisë.
Si Profesore e Asociuar në fushën e Shkencave Sociale, ajo zotëron një përvojë të gjerë në mësimdhënie, veçanërisht në fushat e politikave sociale dhe punës sociale, si dhe ka ushtruar funksione drejtuese akademike në universitete shqiptare. Gjithashtu, ka marrë pjesë në projekte akademike ndërkombëtare dhe programe të mobilitetit akademik si lektore e ftuar, duke kontribuar në shkëmbimin e përvojave akademike dhe zhvillimin e programeve arsimore.
Publikimet e saj shkencore trajtojnë çështje që lidhen me teknologjinë dhe ndikimet e saj sociale, pabarazitë shoqërore, mbrojtjen e fëmijëve, mirëqenien dhe përfshirjen sociale të të moshuarve, si dhe sigurimin e cilësisë në arsim dhe në shërbimet sociale.
Gjatë karrierës së saj profesionale, ajo ka drejtuar struktura përgjegjëse për mbrojtjen dhe përfshirjen sociale, shëndetin publik, politikat arsimore, strehimin social dhe nxitjen e punësimit. Ka menaxhuar projekte në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare dhe ka kontribuar në hartimin e strategjive kombëtare dhe manualeve profesionale në fushat e arsimit, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit social.