Quality Assurance Agency in Higher Education

ASCAL dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) organizojnë takim me studentët në kuadër të SKS

Në kuadër të zhvillimit të Sondazhit Kombëtar të Studentëve (SKS) 2022, në datën 15.04.2022, në ambientet e Universitetit të Tiranës, nën kujdesin e Rektorit të këtij institucioni, Z. Artan Hoxha, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), u organizua një takim me pjesëmarrjen e studentëve.

Në këtë takim ishte e pranishme Znj. Evis Kushi, Ministre e Arsimit dhe e Sportit.

Qëllimi i këtij takimi ishte sensibilizimi i studentëve për rëndësinë e mendimit dhe opinionit të tyre në përmirësimin dhe rritjen e cilësisë në Arsimin e Lartë. Kjo ndikon direkt në hartimin e politikave institucionale dhe informon studentët për cilësinë e mësimdhënies në universitetet, kolegjet universitare, akademitë dhe kolegjet profesionale ku ata dëshirojnë të ndjekin studimet e tyre. 

Në fjalën e saj, Znj. Evis Kushi, Ministre e Arsimit dhe e Sportit, ndërmjet të tjerash tha: “SKS ka si qëllim kryesor sigurimin dhe rritjen e cilësisë në arsimin e lartë duke vlerësuar performancën e institucioneve të arsimit të lartë në kuadër të mësimdhënies, mësimnxënies dhe kompetencave, nëpërmjet pyetësorit kombëtar të studentëve”.

Ndërsa, Drejtuesja e ASCAL, Znj. Xhiliola Bixheku, u shpreh se: “Që prej datës 1 Prill deri tani kemi realizuar 61 takime me rreth 2055 studentë dhe 214 staf akademik dhe ndihmës akademik në institucione të arsimit të lartë publik dhe privat”. Më tej ajo theksoi se “Vlerësimi nëpërmjet SKS bazohet në të njëjtat fusha vlerësimi të parashikuara në Standardet e Cilësisë për vlerësimin në kuadër të akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë, pjesë e Kodit të Cilësisë në Republikën e Shqipërisë”.

Me qëllim që ky diskutim të shndërrohet në një bashkëbisedim me studentët, dhe jo thjesht një prezantim formal, në ditët në vijim takime do të organizohen edhe në disa Fakultete të tjera në përputhje me specifikat e secilit.

Në këtë takim, studentët patën mundësinë t’i drejtojnë pyetje panelit në lidhje me detaje të këtij pyetësori.

IMG 20220416 WA0002

IMG 20220416 WA0001