Drejtori i ASCAL, Z. Elvin Gjevori më datë 8 Maj 2019 ishte i ftuar në emisionin "Mirëmëngjes Shqipëri" në RTSH për të folur mbi reagimet e institucioneve të arsimit të lartë publike e private në lidhje me akreditimin e programeve të studimit.
Procesi i akreditimit të programeve të studimit ka nisur aktualisht për tre universitete publike. Situata paraqitet ndryshe për IAL private ku pjesa më e madhe e programeve të studimit kanë nisur procesin e vlerësimit në kuadër të akredititmit. Pavarësisht se Ligji i Arsimit të Lartë, i detyron IAL t'i nënshtrohen dy llojeve të akreditimit (institucional dhe programeve të studimit), ende numri i IAL publike të interesuara për procesin e vlerësimit mbetet i kufizuar.
"Akreditimi në thelbin e tij si proces është çertifikimi i jashtëm i cilësisë së shërbimit akademik që jep institucioni, që bëhet nga akademikë të tjerë, të cilët nuk kanë konflikt interesi me institucionin. Çdo vit miratohet lista e grupit të vlerësuesve të jashtëm nga Bordi i Akreditimit, i cili funksionon pranë ASCAL." shprehet Z. Gjevori
Universitetet publike janë një hap më pas përsa i përket akreditimit të programeve në lidhje me Universitetet jopublike.
Z. Gjevori: " Përsa i përket IAL publike janë dy çështje që duhen sqaruar: akreditimi institucional me të cilin IAL publike janë më të njohura dhe akreditimi individual i programeve të studimit. Sot çdo IAL publike në Shqipëri është e akredituar institucionalisht. Ne kemi nisur me vizitat për akreditimin e 16 programeve në IAL publike duke thyer disi barrierat për mosakreditimet. Ky është një zhvillim tepër pozitiv. IAl publike po kuptojnë se akreditimi ka rëndësi për vetë ata, por gjithashtu duhet t'i përshtaten kërkesave sipas Ligjit. Pranë ASCAL funksionon Bordi i Akreditimit, i cili përbëhet nga njëmbëdhjetë profesorë shqiptarë e të huaj. Bordi merr vendimet në lidhje me akreditimet, ASCAL administron procesin."
Për më tepër ndiqni intervistën.