Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

Drejtori i ASCAL jep intervistë për gazetën Mapo: "Akreditimi do t’i nxisë IAL-të publike që të përmirësojnë cilësinë"

Ekspertët e cilësisë së arsimit të lartë nga “London School of Economics” do të ndihmojnë universitetet shqiptare të përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies. Drejtori i Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL),  Z. Elvin Gjevori intervistë për gazetën Mapo: Akreditimi do t’i nxisë IAL-të publike që të përmirësojnë cilësinë.

Cilësia e mësimdhënies në universitetet shqiptare është “thembra e Akilit”. Ky është një shqetësim i ngritur nga ekspertët, nga vetë studentët dhe i artikuluar dhe nga vetë ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Besa Shahini. Por vetë ministria dhe agjencitë që varen prej saj nuk kanë një strategji se si mund të ndryshohet ky realitet, përveç synimit për të nxitur vetë universitetet që të rrisin cilësinë.
 
Për t’i dhënë një model apo nxitje universiteteve në këtë drejtim Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), në bashkëpunim me Bordin e Akreditimit dhe “London School of Economics” (LSE), organizoi javën që shkoi pranë ambienteve të Universitetit Politeknik të Tiranës workshop-in me temë “Sigurimi i Brendshëm dhe Rritja e Cilësisë në Institucionet e Arsimit të Lartë”.

Ministrja Znj. Shahini u ndal fillimisht tek ecuria e “Paktit për Universitetin” dhe adresimi nga ana e qeverisë shqiptare i kërkesave të studentëve si: subvencionimi i tarifave studentore; përmirësimi i infrastrukturës; biblioteka digjitale; përfaqësimi ne bordet e administrimit, si dhe transparenca në vendimmarrje. Ndërsa në lidhje me kërkesat për cilësi në mësimdhënie dhe integritet në kërkim shkencor, Shahini theksoi se “Kërkesat për cilësi në mësimdhënie dhe integritet në kërkim shkencor duhet të adresohen nga vetë universitetet. Në këtë kuadër, punëtoria e sotme me ekspertët e cilësisë së arsimit të lartë nga “London School of Economics” do të ndihmojë universitetet shqiptare të përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies dhe eksperiencën studentore të arsimit”.

Por a do të shërbejë kjo tryezë me LSE për të vendosur një marrëveshje më afatgjatë për asistencë britanike në përmirësimin e cilësisë së universiteteve shqiptare? Drejtori i Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), Z. Elvin Gjevori, në një intervistë për suplementin Mapo-Arsim, thotë se takime të tilla i japin mundësinë drejtuesve të universiteteve shqiptare që të mësojnë nga praktikat më të mira botërore.

Por në vazhdimësi për rezultate të dukshme në këtë proces, Z. Gjevori e shikon si një proces autonom të vetë universiteteve.

Ai beson se rritja e cilësisë do të nxitet edhe nga akreditimi i programeve të IAL-ve publike, që sapo ka nisur nga ASCAL.

Z.Gjevori, para disa ditësh ASCAL, në bashkëpunim me Bordin e Akreditimit dhe “London School of Economics” (LSE), organizoi workshop-in me temë “Sigurimi i Brendshëm dhe Rritja e Cilësisë në Institucionet e Arsimit të Lartë”. Çfarë feedback-u patët nga ky workshop?

Ky workshop u zhvillua në bashkëpunim me Bordin e Akreditimit në kuadër të aktiviteteve të ASCAL për rritjen dhe sigurimin e cilësisë së mësimdhënies në IAL-të publike në Shqipëri. Aktualisht akreditimi i programeve të studimit në IAL-të publike ka hyrë në një dinamikë të re ku Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti i Sporteve, Universiteti i Durrësit, Universiteti i Korçës dhe Universiteti i Vlorës janë në faza të ndryshme të akreditimit të parë të programeve të tyre të studimit. Së shpejti edhe Universiteti i Tiranës do t’i nënshtrohet këtij procesi. Pra, duke qenë se procesi i akreditimit ka hyrë në një fazë të re, dinamike e më të avancuar aktivitete të tilla janë të nevojshme dhe do të intensifikohen me qëllim institucionalizimin e strukturave të kontrollit dhe rritjes së cilësisë sidomos përsa i përket mësimdhënies.

Në workshop morën pjesë Zv. Rektorët për procesin mësimor, drejtuesit e zyrave të kontrollit të cilësisë, koordinatorët institucionalë të akreditimit si dhe pedagogë. Gjatë prezantimeve dhe diskutimeve pati shkëmbim mendimesh mbi praktikat e mira ndërkombëtarë për sigurimin dhe rritjen e cilësisë si dhe mënyrat më të përshtatshme për t’i zbatuar ato në Shqipëri. Po aq e rëndësishme, ky takim i dha mundësinë personave kyç nga IAL të ndryshme në Shqipëri që merren me rritjen dhe sigurimin e cilësisë së mësimdhënies që të ndanin mes tyre eksperiencat, sukseset dhe vështirësitë që kanë hasur në mënyrë që të krijohet një komunitet ekspertësh në sistemin tonë të arsimit të lartë për sigurimin e cilësisë. Referuesit në workshop ishin: Dr Arjan Gjonça – Kryetar i Bordit të Akreditimit, i cili bëri prezantimin me temë: “Vlerësimi i performancës akademike në UK dhe LSE”. Dr Claire Gordon – Drejtoreshë e Qendrës për Mësimdhënie dhe Mësimnxënie në London School of Economics, e cila bëri prezantimin me temë: “Rritja e cilësisë së mësimdhënies në LSE dhe sistemi i Arsimit të Lartë në UK”. Thomas Hewlett – Drejtor i Zyrës së Sigurimit të Cilësisë në Mesimdhënie në London School of Economics, i cili bëri prezantimin me temë: “Sigurimi i cilësisë së mësimdhënies në LSE dhe sistemi i Arsimit të Lartë në UK”. Besart Kunushevci – Platforma Akademia, i cili bëri prezantimin me temë: “Zbatimi i sistemit anti-plagjiaturë në IAL-të shqiptare”.

Pjesëmarrësit e vlerësuan shumë këtë aktivitet dhe kërkuan që të ketë përsëri në të ardhmen me folës të kalibrit ndërkombëtar që të sjellin praktikat më të mira ndërkombëtare si dhe këshilla praktike se si mund të zbatohen këto praktika në Shqipëri. Gjithësesi, duhet thënë që zbatimi i këtyre praktikave do të kërkojë kohë dhe jo pak burime dhe aktorët kryesorë të këtij procesi janë vetë IAL-të. ASCAL dhe institucionet e tjera qëndrore mund të asistojnë në këtë proces, por në fund të ditës është një detyrë që i përket IAL-ve.

A ka një marrëveshje mes agjencisë tuaj dhe LSE për të vijuar me trajnime të tjera në universitetet shqiptare? Pra a do të jenë workshop-e sporadikë apo ka një plan vazhdimësie për trajnimin e drejtuesve të universiteteve publike?

ASCAL bashkëpunon më një sërë partnerësh ndërkombëtarë pasi është anëtare e afiliuar e ENQA dhe e një sërë grupimesh të tjera ndërkombëtare të institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë. Bashkëpunimi me LSE u mundësua nga Kryetari i Bordit të Akreditimit Profesor Arjan Gjonça që është edhe profesor prej shumë vitesh në LSE. Ne besojmë që ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe po punojmë që të forcohet më tej. Gjithashtu do të punojmë edhe me partnerë të tjerë që të sjellim sa më shumë informacion dhe njohuri për të krijuar sa më shumë lidhje midis IAL-ve tona dhe partnerëve ndërkombëtarë me qëllim rritjen e vazhdueshme të cilësisë dhe plotësimit të kërkesave të studentëve.

Pse keni zgjedhur LSE-në për këtë ekspertizë?

LSE është një institucion elitar ndërkombëtar nga i cili jo vetëm ne, por edhe institucione të konsoliduara kanë se çfarë të mësojnë. Gjithashtu duke qenë se ligjit i arsimit të lartë bazohet mbi modelin anglosakson, bën edhe më shumë sens bashkëpunimi me institucione si LSE. Për ne ky bashkëpunim është nder dhe krenari pasi i mundëson IAL-ve tona publike, pa asnjë kosto shtesë, të kenë akses tek praktikat më të mira ndërkombëtare. Në të ardhmen afat-mesme në konsultim me IAL-të dhe në koordinim me Bordin e Akreditimit ne do të vazhdojmë me trajnime dhe workshop të tillë edhe për tema më specifike deri sa të krijojmë struktura të konsoliduara të sigurimit të vazhdueshëm të cilësisë.

Çfarë konstatuan ekspertët britanikë, ku çalon problemi i cilësisë në universitetet shqiptare sipas tyre?

Qëllimi i ekspertëve nuk ishte analiza e sistemit në Shqipëri kështu që nuk bënë konstatime specifike. Por si njohës të mirë të sistemit të sigurimit të cilësisë dhe njohës të mirë të Shqipërisë dhe rajonit ato paraqitën vështirësitë potenciale me të cilat mund të përballet Shqipëria, vështirësitë me të cilat ata vetë ishin përballur dhe rrugët e mundshme për të dalë nga këto vështirësi. Thelbi i aktiviteteve të tilla nuk është marrja e recetave të gatshme, por pajisja me njohuri, praktika të konsoliduara dhe eksperienca të mëparshme që përdoren për adresimin e vështirësive të përditshme me të cilat përballen vendimmarrësit në fushën e sigurimit të cilësisë.

Pra ne as kërkuam e as na u ofruan ‘zgjidhje magjike’ por mekanizma të testuar të cilët mund të vihen në përdorim nga IAL-të tona publike për të siguruar dhe rritur cilësinë e mësimdhënies. Në këtë kuadër ekspertët e LSE treguan së si bëhet vlerësimi i mësimdhënies ne LSE, si bëhet vlerësimi i pedagogëve dhe se si përfshihen studentët në këtë proces. Të gjitha këto janë elementë kyç për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në Shqipëri.

Po ASCAL a ka bërë ndonjë studim, keni ndonjë raport për evidentimin e problemeve në cilësinë e mësimdhënies dhe një strategji se si do të përmirësohen këto probleme?

Duke qenë se ASCAL është agjencia e cila ka për detyrë vlerësimin e jashtëm dhe akreditimin institucional dhe të programeve të studimit ne kemi shumë të dhëna mbi problematikat e vërejtura në rang institucional dhe rang programesh. Në këtë kuadër kemi bërë edhe aktivitete dhe botime ku këto problematika identifikohen. Së fundmi, dhe për herë të parë në Shqipëri, ne kemi bërë edhe Sondazhin Kombëtar të Studentëve, ku të gjithë studentët në Shqipëri kanë patur mundësinë të vlerësojnë institucionin ku ata studiojnë. Shumë shpejt ne do të botojmë të dhënat paraprake të Sondazhit për IAL-të publike, ku do të parashtrohen të gjitha problemet e sistemit të arsimit të lartë nga këndvështrimi i studentëve. Këto të dhëna do përbëjnë një element më shumë në arsenalin e të dhënave që do t’i vihen në dispozicion IAL-ve për përmirësimin e shërbimit akademik që i ofrojnë studentëve të tyre.

Një nga shqetësimet e ngritura në protestën e studentëve ishte pikërish niveli i mësimdhënies. Studentët ankohen për nivelin e ulët të pedagogëve, për libra të përkthyer keq ose të shkruar keq, për korrupsion, etj.. Në kuadër të Paktit të Universitetit çfarë po bëhet që të ndryshohet ky perceptim?

Siç e thashë edhe më sipër ne së shpejti do të nxjerrim të dhënat paraprake të Sondazhit Kombëtar të Studentëve dhe aty ka shumë të dhëna interesante edhe për këto çështje. Do të vini re se perceptimi i studentëve është shumë më i nuancuar dhe i shtresëzuar se sa mendohet nga publiku i gjerë. Gjithsesi, kur të dhënat të jenë publike mund të flasim përsëri e të diskutojmë gjërësisht.

Ajo që mund të them tani është se IAL-të tona kanë shumë punë për të bërë për të rritur cilësinë e mësimdhënies. Por kjo gjë duhet te vijë së brendshmi nga vetë IAL-të pasi kanë autonomi tërësore në këtë fushë dhe e kanë detyrim primar të punës së tyre. ASCAL ka një rrol në këtë kuadër duke bërë akreditimin e programeve të studimit që për IAL-të publike sapo ka nisur. Unë jam besimplotë që me zgjerimin e akreditimit të programeve të studimit edhe cilësia e mësimdhënies do të rritet. Por nuk duhet harruar që ky është një proces i ngadaltë dhe jo i lehtë. Gjithësesi e përsëris që këto problematika piksëpari duhet të adresohet nga vetë IAL-të. ASCAL mund të ndihmojë siç bëmë edhe nëpërmjët këtij workshop-i, por pesha kryesore i takon vetë universiteteve.

Burimi: Gazeta Mapo